Kukesi

 Kukësi i Vjetër

Shtrihej ne territoret e përmbytura nga ujërat e Liqenit të Fierzës, në një brezare të krijuar nga Drini i Zi dhe Drini i Bardhë. Një varg zbulimesh arkeologjike dëshmojnë banimin e pandërprerë të kësaj hapësire që nga neoliti e këtej. Mendohet se në territorin e Kukësit ka jetuar fisi ilir i Sikuliotëve. Bep Jubani banorët e Kukësit i quante "ilirët alpinë".

Përmendet së pari si fshat i Nahijes së Lumës, në vitin 1571 (me 9 shtëpi të krishtera dhe 3 të myslimanizuara).

Në vitin 1591 Kukësi kishte 11 shtëpi të krishtera e 6 të myslimanizuara.

Në vitin 1610, arqipeshkvi i Tivarit, M. Bici, e shënon Coccus, Vila di Cocus, me rreth 50 shtëpi, prej tyre 5 myslimane e të tjerat të krishtera (katolike) dhe si qendër peshkatare dhe e një garnizoni të avancuar turk. 30 vjet më vonë dëshmohet me 50 shtëpi, një kishë të rrënuar dhe shumicën e banorëve të myslimanizuar.

Më 1633, P. Mazreku, edhe ky arqipeshkv i Tivarit, përmend Vaun e Kukut. Mortaja e vitit 1689, shoi shumë vendbanime dhe kjo bëri që kjo zonë të braktisej për një kohë të gjatë deri sa në gjysmën e parë të shek. XVIII u ripopullua me banorë nga fshati Osmanaj i komunes Bicaj. Në këtë kohë u shfaq me emrin Drinabardh. Në vitin 1869 rishfaqet me emrin Kukusa.

Në vitet 1912-1921 u pushtua nga serbët, bullgarët dhe austriakët. Populli mori pjesë në luftërat kundër forcave serbe në vitet 1912-1913, ku shumë banorë u masakruan nga forcat serbe.

Në Gusht 1925, shpallet qendër e Prefekturës duke zëvendësuar Krumën e Hasit. Në këtë periudhë, popullsia e Kukësit shtohet në mënyrë të konsiderueshme me ardhjen e qindra familjeve nga Gjakova dhe Prizreni. Ata sjellin me vete tregtinë dhe tradita të reja gatimi e shërbimi, e shumë zeje. Gjatë kësaj kohe vijnë dhe shumë familje nga Gora. Në fillimin e viteve 30, Kukesi shpallet bashki.

Në vitin 1935 Qyteti gjallërohet nga institucionet shtetërore, shkolla, shoqëria sportive Kosova, banda muzikore, enti kulturor Djelmnia Shqiptare, një rrjet shërbimesh publike dhe pazari i së dielës. Në mes të qytetit ngrihen ndërtesa e Prefekturës, busti i Mbretit Zog (zëvendësohet me bustin e Skënderbeut në vitin 1939).dhe qyteti fillon e merr pamje urbane. Ne periudhen e çlirimit në dhjetor 1944 vendoset administrata e re e Prefekturës. Rindërtohet ura mbi Drinin e Zi. Rihapet tregu. Hapet Shtëpia e Rinisë. Fillon punën spitali civil.

Në vitin 1946, qyteti furnizohet me dritë elektrike me anën e një motori tanku të adaptuar. Lidhet me rrugë automobilistike me Peshkopinë. Hapen shkolla unike dhe konvikti. Krijohen ndërmarrja tregtare dhe kooperativat artizanat, konsum dhe shitblerje. Në vitin 1949 krijohet dega e Bankës Shtetërore.

1950-1962 rritet ndjeshëm popullsia me banorë të ardhur nga fshatrat. Hapet Shtëpia e Kulturës. Në vitin 1954 fillon punën kinemaja.

Në vitin 1956 hapet gjimnazi.

Në vitin 1958 ndërtohet ujësjellësi.

Në vitin 1959 krijohet estrada profesioniste.

Në vitin 1960 ngrihet Radio Kukësi dhe hapet shkolla pedagogjike 2-vjeçare dhe fillon punën biblioteka e qytetit. Po ne kete vit ngrihen Muzeu lokal dhe teatri i kukullave.

Më 31 mars 1962 u vendos përmbytja e Kukësit të Vjetër dhe ndërtimi i Kukësit të Ri keshtu fillon jeta paralele e dy qyteteve.

 

 Kukësi i Ri

Më 22 korrik 1962 filluan punimet për ndertimin e Kukësit të ri. Në prill të 1965 filloi popullimi i tij.

Në 1970 Kukësi kishte 6073 banorë. Në 1978 Kukësi i Vjeter ua la vendin ujërave të liqenit të Fierzës dhe e tërë popullsia vendoset në qytetin e ri.

Në 27 Mars te vitit 1999, Kukësi pret afro 450.000 shqiptarë nga Kosova të dëbuar nga ushtria dhe paraushtarakët serbë. Përjeton periudhën më të vështirë në historinë e tij duke u përballur dhe me bombardimet serbe në kodrat përreth qytetit.

Në vitin 2000 kandidohet për Çmimin Nobel për paqe duke u bërë i pari qytet në botë i kandiduar për një çmim të tillë. Në vitin 2004 përfundon ndërtimi i Aeroportit të Kukësit.

Në Qershor te vitit 2009 përfundon ndërtimi i autostrades Durrës-Kukës që lidh më shpejt qytetin e Kukësit me Tiranën.