13 Qershori - Dita e Peshkimit, Event lokal i përvitshëm.

Sot  në qytetin e Kukësit u organizua pë herë të parë  eventi  lokal “ Dita e Peshkimit” , event ky i shpallur në Kalendarin e eventeve lokale të Qarkut Kukës.

Ky aktivitet u mundësua nga Këshilli i Qarkut Kukës, SWG- Grupi i punës i Europës Lindore për zhvillimin rural të rajonit, INCA - Rrjeti për Mbrojtjen e Natyrës  dhe Shoqata Mbrojtja e Mjedisit.

Qëllimi i aktivitetit ishte sensibilizimi i opinionit për parandalimin e gjuetisë së peshkut me mjete të paligjshme, ruajtjen e habitateve ujore, promovimin e vlerave natyrore, gastronomike dhe turistike të basenit të Liqenit të Fierzës.

Në fjalën e tij të rastit Kryetari i Këshillit të Qarkut Kukës  Z. Ibsen Elezi  falenderoi të pranishmit për  pjesmarrjen dhe theksoi rëndësinë e këtij eventi në mbrojtje të natyrës dhe gjallesave të shumta që përmban baseni I Liqenit të Fierzës.

Një falenderim i veçantë shkoi për bashkëpunimin me  organizatën ndërkufitare SWG RRD dhe INCA - Rrjeti për Mbrojtjen e Natyrës. 

Të ftuar në këtë event ishin përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë, përfaqësues të Shoqatave Mjedisore në Shqipëri dhe Kosovë, Institucionet vendore, OJF lokale, peshkatarë dhe specialist të akuakulturës.

Pjesë e axhendës e këtij eventi ishte edhe demostrimi i teknikave ligjore të peshkimit nga peshkatarët e zonës dhe ndërkohë specialistët e fushës theksuan problemet dhe masat që duhen marrë për parandalimin e gjuetisë së paligjshme të peshkut.

Për të ftuarit ishte përgatitur bufe e hapur me llojshmëri  gastronomike të peshqve të zonës.

Aktiviteti u mbyll me një udhëtim turistik me traget përgjatë  Liqenit të Fierzës.