Deklaratë për shtyp – Mbyllja e Filialit të Universitetit të Tiranës në Kukës

Kryetari i Këshillit të Qarkut Kukës, z.Ibsen Elezi, në një deklaratë për mediat shprehu shqetësimin e tij për mbylljen e Filialit të Universitetit të Tiranës në Kukës, gjë e cila privon maturantët e sivjetshëm të aplikojnë në këtë filial për studimet e larta sipas modelit preferencë–meritë. 

Ky vendim i marrë nga Këshilli i Ministrave, sipas z.Elezi është i gabuar, pasi ky filial ka treguar seriozitet në punën e tij gjë e cila është pasqyruar në rritjen e kuotës minimale  të pranimit në 4 mijë pikë si dhe fakti që 50 % e  studentëve të tij mund të ndjekin studimet e larta në Tiranë. Argumenta, të cilat tregojnë që Filiali i Kukësit ka rritur cilësinë e mësimdhënies.

Gjithashtu, mbyllja e këtij filiali në momentin e konsolidimit të tij ka efekte të drejpërdrejta sociale dhe ekonomike për  Qarkun e Kukësit.

Në fund të deklaratës së tij, Kryetari i Këshillit të Qarkut Kukës, u bëri thirrje drejtuesve të pushtetit lokal të Qarkut të Kukësit, drejtuesve të Filialit të Universitetit të Tiranës në Kukës, si dhe shoqërisë civile që të reagojne kundër këtij vendimi.