Dita e Drinit – sensibilizim për mbrojtjen e mjedisit

Në kuadër të Javës së Habitateve, Këshilli i Qarkut Kukës në bashkëpunim me Shoqatën  Mbrojtja e Mjedisit,  Rrjeti për Mbrojtjen e Natyrës, INCA, organizuan  aktivitete  të cilat kishin për qëllim sensibilizimin e opinionit për vlerat e pasurive natyrore turistike të qarkut të Kukësit, promovimin e tyre dhe edukimin për një sjellje sa më miqësore ndaj mjedisit dhe biodiversitetit në përgjithësi.

Ky aktivitet filloi me ceremoninë e pritjes në ambientet e Këshillit të Qarkut Kukës, ku Kryetari i këtij institucioni përveç se falenderoi të pranishmit dhe bashkëpunëtorët e këtij aktiviteti, prezantoi dhe punën e bërë nga ky instiucion në mbrojtje të mjedisit dhe bëri thirrje ndaj të gjithëve që të ruajmë natyrën e mrekullueshme që rajoni ynë ka.

Gjithashtu, të pranishmit paten mundësinë të vizitonin ekspozitën fotografike me pasuritë natyrore të Qarkut të Kukësit.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Rrjetit për Mbrojtjen e Natyrës, z. Zamir Dedej, theksoi rëndësinë e basenit të Liqenit të Fierzes për jetën e banorëve të Qarkut, duke e konsideruar atë jo vetëm një atraksion të bukur turistik por dhe një mundësi e mirë për zhvillim ekonomik të rajonit.

Aktiviteti pasoi më tutje me Maratonën e Drinit, ku morën pjesë nxënës të shkollave si dhe u ndanë çmime për fituesit e tre vendeve të para.

Një tjetër aktivitet i rëndesishëm në kuadër të kësaj dite ishte ekspozita me krijime për natyrën nga nxënës të shkollave të qytetit, si dhe me disa prej llojeve më kryesore të bimëve mjekësore.

Kjo ditë sensibilizimi u mbyll me një udhëtim me traget në liqenin e Fierzës për të parë nga afër bukuritë natyrore të zonës përreth liqenit.