“ Festa e Mjaltit ” – Panair me produktet e Bletës

Në kuadër të “Festës së mjaltit” – 7 Korrik, event lokal ky i përvitshëm, Këshilli i Qarkut Kukës në bashkëpunim me Shoqatën e Bletarëve Kukës organizuan një panair me produktet e bletës.

Në këtë panair morën pjesë bletarë të Shoqatës së bletarëve dhe bletarë të rinj që janë përfitues të projektit "Adresimi në nivel lokal i sfidës së punësimit të të rinjve", të cilët prezantuan një larmishmëri produktesh si: lloje të ndryshme mjalti, dyll, qumësht blete, propolis si dhe mjete të punës së bletarit.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Këshillit të Qarkut Kukës, z.Ibsen Elezi, vlerësoi punën e bletarëve, sidomos të atyre të rinjve dhe siguroi mbështetje për  mbajtjen gjallë të traditës së kultivimit të bletëve.

Ndërkohë kryetari i Shoqatë së Bletarëve z.Kadri Bulica u shpreh se bletaria ka shërbyer si një aktivitet ndihmës për ekonominë e fermerëve të rajonit.

Rajoni i Kukësit ka rreth 106.854 ha me pyje, livadhe dhe kullota (bjeshkë), të cilat karakterizohen nga një bimësi e shumëllojshmë që i japin mjaltit një shije, aromë dhe cilësi karakteristike.

Sot, rreth 600 bletarë mbarështojnë afërsisht 17.700 familje bletësh.