“ Festa e Patates “ – Aktivitet promovues

Data 1 Tetor, me propozim të komunës Shishtavec dhe me vendim të Këshillit të Qarkut Kukës, është  caktuar në kalendarin e eventeve lokale të qarkut, si “Dita e Patates”.

Në kuadër të kësaj dite në Shishtavec u organizua aktiviteti “Festa e Patates” nga Këshilli i Qarkut Kukës, në bashkëpunim me komunën Shishtavec dhe me mbështetjen e Programit të Zhvillimit Rural Rajonal “Rajoni i Sharrit” (SWG), me qëllim promovimin e këtij produkti tipik të zonës së Shishtavecit.

Banorë të zones së Shishtavecit dhe të ftuar të pranishëm nga institucione, organizata lokale dhe shoqëria civile, nëpërmjet një panairi u prezantuan me të gjitha varietetet e patateve që kultivohen në komunën Shishtavec si dhe disa produkte tradicionale me bazë pataten të gatuara nga vetë banorët. 

Aktiviteti u shoqërua dhe nga një program i shkurtër artistik, me muzikë dhe valle të zonës, ku të rinjtë dhe pjesmarrësit festuan së bashku këtë ditë të veçantë për të gjithë banorët e komunës.