Inaugurimi i dy hidrocentraleve në kaskadën e lumit Luma.

Kryeministri Berisha inauguroi dy hidrocentrale mbi lumin Luma, në grykë të Vanave, në rrethin e Kukësit. Hidrocentrali është një investim me vlerë 32 milionë euro dhe me kapacitet 10 MW. Në kaskadën e lumit Luma po ndërtohen gjithsej 10 hidrocentrale, të cilat prodhojnë energji aq sa prodhon hidrocentrali i Ashtës, rreth 50 MW.

Në Shqipëri, gjatë këtyre viteve të fundit, në sektorin e energjisë janë nënshkruar në total 127 kontrata koncesioni për ndërtimin 362 hidrocentraleve, me fuqi të vendosur 1500 MGW dhe investim 2.3 miliardë euro. Kanë hyrë në prodhim 53 HEC-e, me fuqi të përgjithshme të instaluar prej 107 MGW dhe investim total 175 milionë euro. Vetem gjatë ketij viti janë lidhur 12 kontrata për ndërtimin e 46 hidrocentraleve të reja. Në to janë më shumë se 5 mijë të punësuar direkt dhe deri në 12 mijë të punësuar indirekt.Gjithashtu, janë licensuar 15 kompani për të ndërtuar parqe eolike me një fuqi të instaluar prej rreth 1600 MW, të cilat shtrihen kryesisht në zonën bregdetare të vendit, duke filluar nga qarku i Lezhës në veri e deri në  rajonin e Sarandës në Jug. 

Objektivat për periudhën 2013-2017 në sektorin e energjisë janë që brenda vitit 2013 pritet të hyjnë në prodhim 45 hidrocentrale me fuqi rreth 165MW, me një investim total 215 milion euro; gjatë vitit 2013 do të nënshkruhen rreth 20 kontrata të reja koncensioni, me kapacitet 428 MW dhe vlerë investimi 72,3 miliard leke; gjatë vitit 2013 do të hapen dhe procedurat konkuruese për projektet madhore energjetike, të “Vjosës” dhe “Skavicës”; janë gati të nisin realizimin e investimit rreth 7 projekte madhore në fushën e energjive të rinovueshme për parqe eolike dhe fotovoltaike, me një fuqi prodhuese prej rreth 200 MW, si dhe me një vlerë investimi rreth 350 milionë euro. 

Deri në vitin 2020, janë planifikuar të ndërtohen veprat gjeneruese, si më poshtë:

Hidrocentrale të vegjël               444 MW           

HEC-i Devolli1                          75 MW             

HEC-i Vjosa1                            93 MW            

HEC-i Drini1                              48 MW            

TEC-i i Vlorës                            97 MW            

TEC-e të Rinj                             300 MW           

Kryeministri Berisha u shpreh se “nisma jonë – Shqipëria vend lider në rajon për prodhimin e energjisë elektrike nga ujërat, po lëshon shtat dhe po rritet çdo ditë e më shumë”. Gjithashtu, kryeministri Berisha theksoi se do të bëjmë gjithçka që çdo burim, edhe i vogël qoftë ai, të prodhojë energji elektrike.   

Duke u shprehur për reformat e ndërmarra nga qeveria për krijimin e një klime sa më të favorshme për biznes, Kryeministri Berisha u shpreh se tani kostoja e ndërtimit të hidrocentraleve do të jetë 20 përqind më e ulët, sepse është hequr TVSH-ja për çdo material që përdoret për ndërtim, për tubat, për turbinat, për çimenton, për çelikun, etj..

“Ne, - tha Kryeministri, -  jemi të bindur se është e afërt dita kur ky vend, i cili importon mbi 1/3 e energjisë që konsumon, jo vetëm do të bëhet i vetëmjaftueshëm, por do të bëhet edhe eksportues i fuqishëm i energjisë elektrike. Ne jemi të bindur se duke u bërë i vetëmjaftueshëm me energji të prodhuar nga uji, kemi dhe do të kemi mundësi të ruajmë çmimet më të leverdishme të energjisë për qytetarët shqiptarë”. 

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

Le të urojmë ne me përzemërsinë më të madhe këtë vepër të mrekullueshme të investitorëve shqiptarë, të cilët me guxim ia kanë dalë të investojnë në rrjedhën e lumit Luma, së bashku me dy kompani të tjera, 50 milionë euro dhe prodhojnë në rrjedhën e këtij lumi aq sa prodhon hidrocentrali i Ashtës, rreth 50 MW energji elektrike. Ne sot shtypëm butonin e fillimit të punimeve të këtij hidrocentrali. Në të vërtetë butoni shënoi fillimin e punimeve të hidrocentralit tjetër që është sipër këtij. Shpëtimi (investitor) më informoi se brenda 3 javëve të 5 hidrocentralet janë në punë, edhe shumë shpejt dhe 5 të tjerë. Lumi Luma është pasuruar me një kaskadë të mrekullueshme, prej 10 hidrocentralesh. Kjo është një arritje e madhe e iniciativës së lirë. Këta investitorë kanë dëshmuar guxim, vendosmëri, kanë marrë risk, por kanë ngadhënjyer, kanë arritur sukses. Në ndërtimin e kaskadës së lumit Luma, në ndërtimin e 10 hidrocentraleve me teknologjitë më të mira, janë punësuar qindra e qindra banorë të Kukësit, por edhe inxhinierë e teknikë vendas dhe të huaj. Për ne të gjithë, lumi Luma ka pësuar ndryshimin më të madh në tërë historinë e tij. Dhe jo vetëm lumi, por edhe krahina dhe lugina, e cila me energjinë që prodhon ka shkëputur furnizimin e të gjithë Kukësit. Kjo prodhon energji për të gjithë Kukësin, Hasin dhe Tropojën të marra së bashku. 

Pra nisma jonë – Shqipëria vend lider në rajon për prodhimin e energjisë elektrike nga ujërat, po lëshon shtat dhe po rritet çdo ditë e më shumë. Ne, pak muaj më parë, inauguruam hidrocentralin e Lapajt, edhe ai me fuqi 15 MW, por kompania që ndërtonte na informoi se në shpatet e maleve po ndërtoheshin edhe 5 të tjerë. Ne do të bëjmë gjithçka që çdo burim, edhe i vogël qoftë ai, të prodhojë energji elektrike. 

Këto kompani e ndërtuan kaskadën duke pasur si mbështetje taksën 10 përqind, duke pasur si mbështetje një vullnet të qeverisë për t’i ndihmua ata, për t’i lehtësuar nga burokracitë. Po tani, cila është klima? Tani kostoja e tërë ndërtimit, kostoja e turbinave, kostoja e hekurit, kostoja e çelikut dhe e tubave do të jetë 20 përqind më e ulët, sepse ne hoqëm TVSH-në për çdo material që përdoret për ndërtim, hoqëm TVSH-në për tubat, hoqëm TVSH-në për turbinat, hoqëm TVSH-në për çimenton, hoqëm TVSH-në për çelikun. 

Ne jemi të bindur se është e afërt dita kur ky vend, i cili importon mbi 1/3 e energjisë që konsumon, jo vetëm do të bëhet i vetëmjaftueshëm, por do të bëhet edhe eksportues i fuqishëm i energjisë elektrike. Ne jemi të bindur se duke u bërë i vetëmjaftueshëm me energji të prodhuar nga uji, kemi dhe do të kemi mundësi të ruajmë çmimet më të leverdishme të energjisë për qytetarët shqiptarë. 

Në krahun tjetër është alternativa e kërcënimit; alternativa që thotë do të anuloj koncesionet; alternativa që thotë do të vendos taksat e larta; alternativa që deklaron se do të krijojë zyrë speciale pranë Kryeministrit, ëndërr që nuk do t’i realizohet ndonjëherë. Po mbaron pas saj, por ka vetëm ndonjë studio gazetarësh që ua imponon t’ia shkruajnë aty dhe që sa largohet gazetarët e tallin, por është punë e tyre. Pra thotë do t’i anulojë koncensionet dhe do të rrisë taksat. Jo zotëri, taksat do të ulen edhe më tej, sepse këto ujëra duhet të kthehen në të mira për shqiptarët. Ato nuk duhet të përdoren vetëm për vaditje, por duhet të përdoren edhe për vaditja, edhe për energji, duhet të marrim sa më shumë prej tyre. 

Njëlloj si me tre kompanitë që kanë ndërtuar këto hidrocentrale, me kompani private vendase dhe të huaja ne kemi vendosur 129 kontrata për ndërtimin e 367 hidrocentraleve. Si po ecin punët? Ato po ecin po me kaq shpejtësi. Kanë përfunduar së ndërtuari rishtazi mbi 54, së ndërtuari janë mbi 20 të tjerë, por është e jashtëzakonshme se po ndërtohen në të katër anët e vendit, në mënyrë të papërmbajtur. 

Ne mbrëmë zhvilluam një mbledhje të zgjatur të Këshillit Kombëtar të Territorit. Natyrisht e filluam me hidrocentralet, por kënaqësia ime ishte e jashtëzakonshme kur kompanitë dëshmonin se njëra kishte ndërtuar 1.5 kilometër tunel, tjetra 2 kilometër tunel, tjetra 700 metër tunel, se ato kishin përdorur metodat më të shkëlqyera për të shfrytëzuar në mënyrën më racionale çdo pikë ujë. Absolutisht, këtu po zhvillohet jo vetëm një garë e jashtëzakonshme, por po zhvillohen mendje të shkëlqyera për fushën e energjisë. Presidenti i kompanisë më njoftoi se pak vite më parë solli këtu një inxhinier austriak të fushës, një specialist i madh, i cili i kishte thënë se këtu do të vijë me studentët, t’u tregojë se si toka ka mbetur 3000 vjet pa ndryshuar. Edhe kur u tregoi fotot e punëve, i thanë se këto mund të jenë bërë në kompjuter, nuk mund të jenë realitet. E solla këtë shembull, si dëshmi e një ndryshimi të madh të mrekullueshëm, mbi të gjitha vepër e qytetarit shqiptar, e përdorimit nga qytetari shqiptar të lirisë së tij, lirisë së iniciativës së lirë, liri e cila e shtyn individin të punojë me përkushtim të madh për mëkëmbjen e tij, të familjes së tij dhe të shoqërisë së tij. 

Ne mbetemi të vendosur për të bërë gjithçka për suksesin tuaj. Edhe një herë, janë me dhjetëra e dhjetëra në ndërtim. Së shpejti, ju do të dëgjoni dhe do të shihni se do të fillojnë investimet e huaja më të mëdha në historinë e këtij vendi dhe ato do të jenë hidrocentrale. Le ta bëjmë këtë vend të bekuar gjithnjë e më të bekuar për qytetarët e tij.  

Ju ftoj në zgjedhjet e 23 qershorit. Le të bëjmë gjithçka për zgjedhjet më të qytetëruara, zgjedhjet më të bukura, zgjedhje të standardeve më të larta. Le të votojmë për projektin - Shqipëria vend i zhvilluar; të votojmë për ndërtimin në Shqipëri të një infrastrukture moderne në çdo skaj të saj; të votojmë për ndërtimin e një sistemi shkollor modern në çdo fshat të saj; të votojmë për ndërtimin e ujësjellës kanalizimeve në çdo kënd të këtij vendi; të votojmë për rritjen e rrogave dhe pensioneve; të votojmë për shndërrimin e Shqipërisë në një vend lider për prodhimin e energjisë elektrike nga ujërat e saj; të votojmë për shndërrimin e Shqipërisë në një vend lider në teknologjinë e lartë të informacionit, për ecjen drejt integrimit të sigurt të vendit në Bashkimin Evropian. 

Edhe njëherë, përgëzimet më të mëdha për këtë punë e shkëlqyer që kanë bërë këto tre kompani shqiptare, për punën e të cilave unë ndjehem sot shumë krenar.”