Kryeministri Berisha inauguron rrugën Kukës – Shishtavec, loti II, një investim me vlerë 1.2 miliardë lekë.

Kryeministri Berisha mori pjesë në inaugurimin e rikonstruksionit të lotit II të rrugës Kukës – Shishtavec. Rruga, një investim me vlerë 1.2 miliardë lekë, u lehtëson lëvizjen 15 000 banorëve në komunat Zapod, Topojan dhe Shishtavec. Gjithashtu, kjo është lidhja e vetme për 19 fshatrat e këtyre komunave me rrugën nacionale, me qytetin e Kukësit, si edhe me rrugën e kombit për t’u lidhur më tej me Kosovën. Së shpejti do të tenderohet edhe loti III i kësaj rruge, nga Ura e Zapodit – Shishtavec – Dogana e Shishtavecit.

Kjo rrugë, e ndërtuar me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, i shërben edhe zhvillimit të turizmit në këtë zonë, pasi nëpërmjet saj bukuritë natyrore të bjeshkëve të Shishtavecit do të jenë të prekshme për të gjithë vizitorët e turistët.

Në këto vite në qarkun Kukësit, në Has dhe në Tropojë janë bërë investime të shumta për zhvillimin ekonomiko-social. Më konkretisht, janë ndërtuar mbi 570 kilometër rrugë, prej nga të cilat 395 kilometër rrugë kombëtare, 115 kilometër rrugë rajonale nga FSHZH, 160 kilometër rrugë lokale. Gjithashtu, janë ndërtuar dhe rikonstruktuar 61 shkolla, 50 qendra shëndetësore, 43 ujësjellës e sisteme kanalizimesh. Në këtë qark janë subvencionuar 1570 fermerë në 700 hektarë, në kultivimin e arrave, bajameve, lajthive, drurëve frutorë. Në bujqësi janë investuar 500 milionë lekë në ujitje dhe kullim tokash. Gjithashtu, janë investuar 80 milionë euro në rehabilitimin e HEC- ve dhe po ndërtohen dhjetëra HEC-e të vegjël.

Investimet në rrjetin e infrastrukturës dhe shërbimeve në qarkun e Kukësit kanë ndikuar edhe në punësim për qytetarët, pasi janë shtuar 540 subjekte. Tashmë numri bizneseve dhe i të punësuarve është 2.5 herë më i lartë. Në vitin 2013 janë 720 subjekte  nga  280  subjekte që kanë qenë në vitin 2005.Gjithashtu, janë rritur sipërfaqet e mbjella në bujqësi. Sipërfaqja e punuar ka arritur 11 200 hektarë. Nga subvencionet janë mbjellë 200 hektarë me arrorë, dru frutorë  e vreshtari. Gjithashtu, kanë përfituar 960 fermerë dhe blegtorë. Në nivel qarku janë më shumë se 11.275 ferma. Po ashtu është rritur shfrytëzimi i mineraleve me 35 subjekte, të cilat kanë të punësuar 150 persona. Gjatë këtyre viteve, investimet që janë bërë në infrastrukturë, kanë ndikuar edhe në zhvillimin e turizmit në këtë zonë, pasi është rritur numri i turistëve për turizmin malor, atë ndërkufitar dhe sportet dimërore. Është ndërtuar stadiumi i ri, këndi i lojërave me dorë, është rikonstruktuar Pallati Kulturës dhe Muzeu.

Në këtë ceremoni përshëndetën edhe banorët e kësaj zone, ku prej 35 vjetësh nuk ishte kryer asnjë investim. Ata shprehën mirënjohje për praninë e Kryeministrit Berisha në këtë ceremoni, ndërsa kryetari i komunës theksoi se “Ju, zoti Berisha, jeni kryeministri i parë që shkelni në këto troje”. “Ne, -vijoi më tej ai, -  jemi shumë të kënaqur, sepse në komunën Zapod, e cila ka qenë komuna më e varfër në Shqipëri, kemi marrë fonde dhe janë ndërtuar tri shkolla, u ndërtua rruga, është hartuar projekti për ujësjellësin, është ndërtuar dhe qendra shëndetësore”.

Sherif Abedini, banor i kësaj komune, tha se kjo rrugë është një shans shumë i madh për punësim, për biznes dhe për afrim me qytetin. “Ne rruga na shkonte 1 orë e 30 minuta, tani ka arritur në 20 minuta. Ju falënderojmë Kryeministër Berisha për këtë mrekulli që na keni falur”, tha zoti Sherif Abedini.           

Kryeministri Berisha u shpreh se, krahas shumë të mirave të tjera, ndërtimi i kësaj rruge do të ndikojë ndjeshëm në zhvillimin e turizmit malor në këto zona. “Rruga është vetëm përpjekja jonë e parë drejt këtyre maleve. Rruga që po shkon, aeroporti ngjitur me të, përcaktojnë një të ardhme të ndritur turistike, të jashtëzakonshme për malet, për Shishtavecin, për bjeshkët e tij dhe male të tjera”, tha Kryeministri.

Më tej, pasi renditi disa nga reformat ndërmarra dhe të realizuara nga qeveria në këto tetë vite, Kryeministri Berisha kërkoi mbështetjen e qytetarëve për të ecur drejt mandatit të ri, si dhe u zotua se “çdo votë do të shndërrohet në rrugë, çdo mbështetje do të shndërrohet në autostrada dhe në shkolla të reja, në kopshte, në subvencione të mëdha për fermerët, në biznese, në lehtësim të klimës së biznesit, do të shndërrohet në hapa të sigurt drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimit Evropian, do të shndërrohet në hapa drejt shndërrimit të Shqipërisë në një vend të zhvilluar”

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari, ju shpreh përshëndetjet më vëllazërore dhe mirënjohjen time më të thellë për secilin prej jush, për banorët e këtyre komunave, për banorët e Kukësit, për qarkun e Kukësit, i cili siç theksoi kryetari i komunës është kampion politikë dhe urojmë që të ardhmen të jetë edhe kampion sportiv.

Unë, gjithashtu, kam kënaqësi që inaugurojmë sot së bashku këtë rrugë, një premtim i kahershëm për Shishtavecin, Zapodin dhe Topojanin, rrugë e cila vërtetë ndihmon 15 mijë banorë të këtyre komunave, por rëndësia e saj është shumë herë më e madhe. Kam bindjen time më të thellë se në bjeshkët e Shishtavecit, në malet midis Peshkopisë dhe Kukësit janë potencialet malore më të mëdha dhe më mahnitëse të Shqipërisë edhe shqiptarëve. Ndaj rruga është vetëm përpjekja jonë e parë drejt këtyre maleve. Rruga që po shkon, aeroporti ngjitur me të, përcaktojnë një të ardhme të ndritur turistike, të jashtëzakonshme për malet, për Shishtavecin, për bjeshkët e tij dhe male të tjera.

Përveç turizmit, rëndësi shumë të madhe ka zhvillimi i fermave bujqësore dhe blegtorale. Kjo është zona e patateve më të mira të Shqipërisë. Nuk e harroj, e kam shumë të freskët në mendjen time, kur pak vite më parë ju me shumë të drejtë më kërkonit të nisja makinat e ushtrisë për t’ju ndihmuar në transportin e patateve, sepse rruga nuk kalohej.

Kjo është një rrugë e kushtueshme, ndoshta ndër më të kushtueshmet e këtij lloji, por ju garantoj se sado që të kushtojë ajo do të shkojë deri në pikat kufitare në kufi me Dragashin. Ne asgjë nuk do të na pengojë të ecim deri në destinacionin e fundit të kësaj rruge, në mënyrë që jo vetëm ta urbanizojmë zonën, por të krijojmë një lidhje shtesë me Kosovën. Vendimi ynë është që çdo rrugë që bashkon Shqipërinë me Kosovën të ndërtohet dhe rindërtohet në standardet më të mira ndërkombëtare.

Vëllezër dhe motra,

Ne jemi përpjekur këto vite dhe kemi bërë gjithçka për ndryshimin e jetës së qytetarëve shqiptarë, për ndryshimin e vendit. Në këto vite, ju jeni dëshmitarë, Shqipëria u anëtarësua në NATO; në këto vite, ju jeni dëshmitarë, me ndryshime të mëdha, me përpjekje të mëdha, me të gjitha masat që ndërmorëm ne ia dolëm të meritojmë heqjen e vizave dhe të lëvizim të lirë në mbarë Evropën, një ëndërr kjo ndër më të bukurat e shqiptarëve.

Me përpjekje të përbashkëta, me përpjekje të mëdha ne ia dolëm të mbi dyfishojmë rrogat dhe pensionet. Unë ju garantoj se asgjë nuk do na ndalë ne për të marrë statusin e vendit kandidat. Unë ju ftoj të mos harroni se në tetor të vitit 2012 Komisioni Evropian, pasi shqyrtoi të gjitha zhvillimet në Shqipëri, pasi analizoi të gjitha ndryshimet e mëdha në Shqipëri, pasi shqyrtoi të gjitha ligjet e vendit, praktikat që ndiqen në këtë vend, qëndrimet që mbahen në këtë vend, vendosi njëzëri t’i propozojë Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat dhe la datën 20 nëntor si datën përfundimtare të dërgimit të këtij rekomandimi, me kusht që Shqipëria të votonte tre ligje, ligje për të cilat kishte ujdi të plotë. Nga ajo ditë deri më sot ato ligje janë bllokuar në Parlamentin shqiptar dhe janë bllokuar nga zoti Edi Rama. Ato ligje janë bllokuar me qëllimin e vetëm për të dëmtuar, sipas mendjes së tij, qeverinë. Në të vërtetë, ai dëmton një interes jetik të mbarë shqiptarëve, të çdo shqiptari, fëmije, gruaje, burri, të riu, të moshuari. Statusi i vendit kandidat do të thotë disa qindra milionë euro falas nga Komisioni Evropian, investime për rrugë, për ujësjellës, për kanalizime, për shkolla, për spitale, në mënyrë që shqiptarët të kenë infrastrukturën e qytetarëve evropianë.

Duke bllokuar tre ligjet, zoti Rama shkelmoi ëndrrën e çdo të riu shqiptar, të cilët më statusin e kandidatit do të kishin të drejtë të aplikonin në universitetet e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian me fee më të leverdishme dhe të punësoheshin atje për kohën që studionin. Ai shkelmoi interesat e të gjithë emigrantëve shqiptarë, të cilët me marrjen e statusit fitonin në vetvete në këto vende një status të ri, fitonin njohjen e viteve të pensionit. Me bllokimin e tre ligjeve, zoti Rama mori për vete vulën e bllokuesit, por Shqipërinë e privoi nga një pasaportë e shkëlqyer, pasaporta e vendit me status për vend anëtar në Bashkimin Evropian.

Zgjedhjet po vijnë dhe unë kërkoj mbështetjen tuaj, të miqve tuaj dhe të mbarë shqiptarëve që të votojnë me 23 qershor për projektin tonë evropian, të votojnë më 23 qershor në mënyrë që kurrë ndonjëherë tjetër ndokush të mos pengojë ëndrrën tonë evropiane.

Në këto vite ne kemi dyfishuar pensionet në fshat, kemi rritur ndjeshëm pensionet në qytet. Nuk kanë qenë vite të lehta, por ne ia kemi dalë. Unë ju jap fjalën se rritja e pensioneve, rritja e rrogave do të jetë politikë konstante e qeverisë time.

Sot ka një alternativë tjetër, e cila mohon çdo gjë. Zoti Rama udhëton me një autobus luksoz në rrugë pa gropa dhe vrapon ku të gjejë një gropë. Del burri, 2 metër i gjatë, tek një gropë me Kujtim Qefalinë, deputetin e tij, në një komunë socialiste, e të vjen në mendje se i kanë bërë vetë gropat.

Zoti Rama, në Shqipëri janë ndërtuar rrugë në të katër anët. Vetëm në qarkun e Kukësit janë mbi 500 kilometra rrugë, rrugë kombëtare, rrugë rurale dhe të të gjitha llojeve. Por përsëri në Shqipëri, përsëri në Kukës, në Tropojë, në Përmet, në Berat, në Kolonjë ka qindra e qindra kilometra rrugë të paasfaltuara. Ajo çka u themi këtyre qytetarëve është se ne që asfaltuam gjatë këtyre viteve mbi 10 mijë kilometra rrugë, që asfaltuam mbi 8 mijë kilometër rrugë rurale të Shqipëri, kemi vullnetin, kemi zotimin dhe kërkojmë mbështetjen tuaj për të asfaltuar çdo kilometër rrugë, aty ku jetojnë shqiptarët.

Kryetari i komunës informoi këtu se kemi ndërtuar 3 shkolla në këtë komonë. Në rrethin e Kukësit ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar 39 shkolla. Unë jam sot këtu për t’u zotuar se katër vitet që vijnë do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë, do të modernizojmë çdo shkollë. Ne kemi ndërtuar me dhjetëra qendra shëndetësore, do të ndërtojmë të tjera. Kukësi sot është me universitet dhe me stadium. Ne do të bëjmë gjithçka që katër vitet që vijnë Kukësi dhe i gjithë rrethi të ecin drejt mëkëmbjes, të ecin drejt mirëqenies.

Vëllezër dhe motra,

Në anën tjetër është alternativa që ju e shihni, alternativë mohimi. Ai thotë - asgjë nuk është bërë. Një herë deklaron se janë ndërtuar gjithsej 600 kilometër, pastaj thotë 1500, pastaj thotë se nuk ekzistojnë më shumë se 6000 kilometra rrugë në Shqipëri. E vërteta është se kjo bazohet në mosnjohjen, në injorimin e realitetit, në mohimin e realitetit. Shqipëria e tëra, në çdo territor të saj, do të zhvillohet. Alternativa tjetër është alternativë e damkosjes. Vrapojnë të gëzuar, kur marrin vesh ndonjë lajm jo të mirë. Pak kohë më parë shpallën 56 përqind të shqiptarëve analfabet. Harruan se me këtë lënduan jo vetëm fëmijët, jo vetëm këtë gjeneratë, por të gjitha gjeneratat e shqiptarëve, nga themelimi i alfabetit shqiptar e deri më sot, të cilët pasion kryesor kanë shkollën dhe shkollimin e fëmijëve të tyre. Ndaj dhe ne do të bëjmë gjithçka për shkollimin sa më të mirë të fëmijëve tanë.

Ai ngrihet me forcë kundër koncesioneve, ndërtimit të hidrocentraleve. Pas 30 vitesh ne ndezëm në Shqipëri garën më të shkëlqyer të ndërtimit të hidrocentraleve, të shndërrimit të këtyre ujërave në vlera për qytetarët shqiptarë, ujëra të cilat derdheshin të fjetura në det. Ne do të vazhdojmë ndërtimin e hidrocentraleve, deri sa edhe përroi i fundit i këtij vendit të prodhojë energji elektrike.

Le të ecim ne drejt mandatit të ri. Le të firmosim së bashku me 23 qershor fitoren më të shkëlqyer në historinë tonë. Jam këtu para jush për tu zotuar se çdo votë do të shndërrohet në rrugë, çdo mbështetje do të shndërrohet në autostrada  dhe në shkolla të reja, në kopshte, në subvencione të mëdha për fermerët, në biznese, në lehtësim të klimës së biznesit, do të shndërrohet në hapa të sigurt drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, do të shndërrohet në hapa drejt shndërrimit të Shqipërisë në një vend të zhvilluar.

Fitore!

Përpara, përpara, përpara!”