Perurimi i pikës se re të përbashkët të kalimit kufitar, Shishtavec-Krushevë.

Ministri i Brendshëm z. Flamur Noka dhe homologu i tij kosovar z. Bajram Rexhepi, përuruan, sot në kufirin Shqipëri-Kosovë, Pikën e re të Përbashkët të Kalimit Kufitar, Shishtavec-Krushevë. Në ceremoni ishin të pranishëm përfaqësues të lartë të policisë së Shqipërisë e Kosovës, autoritetet më të larta të pushtetit lokal, si edhe shumë banorë të zonave, nga të dy krahët e kufirit.

Përurimi i PPKK Shishtavec – Krushevë, është realizimi konkret dhe në kohë rekord, vetëm brenda dy javëve, i marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës për hapjen e tri pikave të përbashkëta të kalimit, nënshkruar në Tiranë, nga dy ministrat. Tashmë, me krijimin e PPKK, qytetarët që udhëtojnë drejt Shqipërisë dhe Kosovës do t’i nënshtrohen vetëm një kontrolli, në hyrje ose dalje, çka përmirëson shumë cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve, por edhe lehtëson maksimalisht procedurat në lëvizjen e tyre. Qindra banorë të zonave, në afërsi të kësaj pike kufitare kalimi, që kishin ardhur për të marrë pjesë në këtë ceremoni, krijuan një atmosferë shumë festive.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Ministri i Brendshëm z. Flamur Noka, ndër të tjera theksoi:

“Jemi mbledhur sot këtu, për të festuar së bashku një tjetër moment shumë të rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, përurimin e Pikës së Përbashkët të Kalimit Kufitar, Shishtavec-Krushevë.

Ky hap cilësor në praktikën ndërkufitare, është një tjetër tregues i forcimit dhe bashkëpunimit me Republikën e Kosovës dhe një mundësi reale për të gjithë banorët në të dy anët e kufirit që të lëvizin lirshëm, pa vonesa dhe që paralelisht sjell zhvillimin e mëtejshëm të shkëmbimeve ekonomike, kulturore dhe njerëzore. Sot, së bashku përurojmë me gëzim të pamasë këtë urë të re bashkimi dhe komunikimi, duke lënë pas të kaluarën, si një kujtim i hidhur që nuk do të mund të përsëritet më kurrë dhe ku kufijtë mes dy vendeve tona, realisht do të jenë vetëm imagjinarë. Qeveria shqiptare dhe Kryeministri Berisha e ka konsideruar gjithmonë bashkimin dhe bashkëpunimin me Kosovën si një detyrim madhor ndaj kombit shqiptar dhe shqiptarëve kudo jetojnë.

Ju banorë të Shishtavecit, por edhe banorët e Krushevës keni të gjitha mundësitë që të udhëtoni shpejt dhe pa vonesa e të shtoni zhvillimin ekonomik dhe begatinë tuaj, qoftë në shkëmbimin e produkteve tuaja, por edhe për të qenë pranë në çdo gëzim e marrëdhënie njerëzore. Kjo zonë, që tashmë ka dalë krejtësisht nga harresa, po bën hapa të mëdhenj para dhe, në saje të investimeve tona, por edhe përthithjes së investimeve nga projekti IPA i Bashkimit Europian, shumë shpejt do të ketë edhe një insfrastrukturë rrugore moderne. Kjo zonë, një perlë e natyrës shqiptare, ka të gjitha mundësitë që shumë shpejt në të ardhmen të kthehet edhe në një mrekullit të turizmit, çka do të sjellë prosperitetin e padiskutueshëm ekonomik e social të të gjithë banorëve, në të dy anët e kufirit.”

Ministri i Brendshëm i Republikës së Kosovës, z. Bajram Rexhepi, gjatë fjalës së tij vuri theksin te fakti se çelja e kësaj pike të përbashkët jo vetëm do të jetë lehtësojë jetesën dhe bashkëpunimin e banorëve në këto zona rurale, të cilat gjatë dimrit kanë vështirësi komunikimi e lëvizjeje, por do të ndikojë edhe në rritjen e bashkëpunimit në gjithë rajonin e Prizrenit, e zonave përrreth.

“Kjo pikë e përbashkët kalimi është një shprehje e vullnetit të dy qeverive për një Europë pa kufij. Këto zona të mrekullueshme të lëna në harresë, meritojnë më së shumti vemendje dhe sot është pikërisht një nismë që do t’u japë zhvillimin në rrafshin ekonomik, tregtar e kulturor. Investimet do të jenë në dy anët për t’u shërbyer sa më mirë banorëve të zonave në të dy anët,” tha z.Rexhepi.

Më tej Ministri i Brendshëm i Kosovës nënvizoi faktin se shumë shpejt, kjo PPKK, në sajë të investimeve, do  të kthehet në një pikë doganore edhe për qarkullimin e mallrave dhe aktiviteteve tregtare, çka do të ndihmonte zhvillimin vrullshëm ekonomik të banorëve të zonave përreth.

Më pas, të dy Ministrat e Brendshëm, vizituan ambientet e punës së PPKK Shishtave-Krushevë, si edhe u njohën nga afër me bashkëpunimin në mes policive kufitare të të dy vendeve në këtë pikë.