Çmimi "Hasan Prishtina" akorduar për Qarkun Kukës nga Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur

Nuk mund të harrojmë kurrē atë çfarë banorët e Qarkut Kukës kanë bërë për të pritur mijëra vëllezër e motra kosovarë në ato ditë të veshtira të viteve 1998-1999.
Kjo ishte motoja dhe simbolika e ceremonisë së zhvilluar sot në sallën e Këshillit të Qarkut Kukës , në të cilën u bë dorëzimi i Çmimit "Hasan Prishtina" , akorduar për Qarkun Kukës , nga Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur me seli në Prishtinë.
Merrnin pjesë në këtë ceremoni ish-Kryeministri i Kosovës Z.Ramush Haradinaj , Prefekti i Qarkut Kukës Z. Ali Hallaçi , Kryetari Shoqatës Z. Jahja Lluka , Kryetari i Komunës Rahovec Z. Smajl Latifi , drejtues të Institucioneve të pushtetit qëndror dhe lokal , miq e të ftuar të ardhur nga Kosova , Tirana e Shkupi , qytetarë të Kukësit , përfaqësues të medias dhe të tjerë..
Fjalën e hapjes e mbajti Kryetari i Këshillit të Qarkut Kukës Z. Abdulla Domi i cili falenderoi , Z. Haradinaj , Z.Lluka dhe të pranishmit për prezencën dhe vlerësimin.
Pas një video prezantimi për veprimtarinē e Shoqatës , përshëndetën Z. Haradinaj , Z. Hallaçi , Z.Lluka si dhe rrecitoi një poezi poeti popullor Riza Vata.
Në fund Z. Lluka i dorëzoi Kryetarit Domi, Çmimin "Hasan Prishtina" së bashku me motivacionin përkatës.
Faleminderit e kurrë mos u ndafshim ndër veti vëllezërit e një gjaku e të një gjuhe