Panairi i artizanatit, me rastin e ditës Kombëtare të Trashëgimise Kulturore.

Këshilli i Qarkut Kukës në kuadrin e ditës kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, organizoi Panairin e Artizanatit me qëllim promovimin e traditës së zonës.

Panairi u zhvillua në ambientet e Pallatit të Kulturës “Hasan Prishtina” dhe qëndroi i hapur për vizitorët nga ora 12:00 deri në orën 16:00.

Në këtë panair morën pjesë rreth njëzet e nëntë artizan nga Kukësi, Hasi dhe Tropoja si dhe shkollat e rrethit të Kukësit, të cilat u paraqitën më një shumëllojshmëri vlerash të traditës. U ekspozuan tekstile në vek me motive karakteristike, punime dore, aplikacione të ndryshme të metalit, lëkurës dhe drurit.

Panairi u vizitua nga vëndas dhe të huaj të cilët shfaqën interes në njohjen e objekteve  që e dallojnë Qarkun Kukës.

Tetëmbëdhjetë  punimet më të mira sipas kategorive u vlerësuan me çmime nga një komision me ekspertë të fushës. Konkretisht për tekstilet në vek si: sexhade, qilima, pjesë veshjesh dhe kostumet  popullore u dhanë nga tre çmime për secilin, ndërsa për punimet e dorës: me shtiza,  me grep, qëndisje, punimet në dru dhe veglat e punës artizanale u dhanë nga një çmim.

Panairi synon të bëhet i përvitshëm për mbështetjen dhe nxitjen e artizanëve në ruajtjen e vlerave tradicionale të zonës.